Menopauza

Menopauza përkufizohet si ndalja ciklit menstrual. Është një proçes fiziologjik që ndodh te çdo femër, ndaj nuk është një sëmundje apo çrregullim.
Pas një moshe të caktuar ovaret nuk prodhojnë më vezë, gjithashtu edhe prodhimi i hormoneve estrogjen e progesteron, që kontrollojnë riprodhimin, pakësohet.
Cikli bëhet i çrregullt derisa ndalon. Menopauza konfirmohet kur femra nuk ka perioda për 12 muaj rradhazi. Ky proçes zakonisht ndodh në moshën 45-55 vjeç.

Ndërkohë që shkohet drejt menopauzës, nivelet luhatëse të hormoneve femërorë, estrogjen e progesteron, mund të japin simptoma si: afshe të nxehta, djerësitje gjatë natës, këmbë të lodhura, pagjumësi, depresion, tharje të vaginës, probleme me fshikëzën urinare, flokë të brishtë, lëkurë të thatë, dhimbje gjoksi, probleme me humorin e memorien.
Shumica e femrave nuk i trajtojnë këto simptoma pasi ato largohen vetë me kalimin e kohës.
Sidoqoftë ka disa zgjidhje të thjeshta e natyrale për të trajtuar shqetësimet me origjinë menopauzën.

1. Lini

Farat e Linit të bluara apo vaji i Linit pa konservantë përbëjnë një metodë të mirë për të trajtuar afshet e nxehta që shoqërojnë menopauzën. Lini është i pasur me Omega-3 e Lignane, të cilat veprojnë si fitoestrogjene. Përdorimi i vajit apo farave të Linit ndihmon në përmirësimin e niveleve të estrogjenit në organizëm, çka rezulton në reduktimin eintensitetit të afsheve e tharjes vaginale.
• Konsumoni një lugë çaji me vaj Lini çdo ditë esëll dhe/ose në darkë.
• Konsumoni një lugë gjelle fara Lini të bluara 2-3 herë në ditë, shoqëruar me shumë ujë.
• Përdorini farat dhe vajin e Linit në sallatë, supë, drithëra, lëngje të ndryshme.
Kujdes!
Farat e Linit të plota janë të vështira për t’u tretur, prandaj këshillohet që ato të përdoren të bluara.

2. Uthulla e mollës

Uthulla e mollës 100%bio dhe e parafinuar cilësohet si një alternativë shumë e dobishme për lehtësimin e simptomave të menopauzës. Ajo është efektive në reduktimin e incidencës së afsheve të nxehta e djerësitjes gjatë natës, dy nga simptomat më të zakonshme të menopauzës, si dhe në rregullimin e balancës hormonale e largimin e toksinave nga organizmi.
• Hidhni 2 lugë gjelle uthull molle në një gotë me ujë dhe konsumojeni përzierjen çdo mëngjes.

3. Soja

Produktet e sojës paraqiten të dobishme gjatë menopauzës. Isoflavonoidet që soja përmban ndihmojnë në balancimin e nivelit të hormoneve , si dhe paraqesin aktivitet estrogjenik.
• Përfshijeni sojën dhe qumështin e saj në dietën tuaj ushqimore.

4. Vitamina E

Studimet klinike tregojnë se vitamina E vepron si një zëvendësuese e estrogjenit, duke ndikuar kështu në kontrollimin e afsheve të nxehta. Gjithashtu njihet edhe veprimi i saj në reduktimin e tharjes vaginale e të rrahjeve të shtuara të zemrës.
• Aplikoni vitaminën E lokalisht në vaginë për të përmirësuar lubrifikimin.
• Konsumoni një dozë mesatare të rekomanduar deri ne 600UI në ditë ( 3 kapsula 200UI në ditë).

5. Kanella

Është i njohur prej kohësh përdorimi i kanellës në reduktimin e ankthit, të çrregullimeve të humorit dhe të depesionit. Gjithashtu kanella ka veti të forcojë muskulaturën e mitrës, diçka me shumë dobi për femrat në menopauzë. Kanella gjen përdorim edhe për relaksimin e këmbëve të lodhura për shkak të ndryshimit të balancës hormonale.
• Bëjeni kanellën pjesë të dietës tuaj ushqimore, duke e shtuar atë në çajra, lëngje të ndryshme, ëmbëlsira, drithra etj.
• Shtoni 2 gjelle kanellë në një enë me ujë të vakët dhe zhytini këmbët aty për 15 minuta. Praktikojeni këtë rregullisht sipas nevojës për të çlodhur këmbët.

6. Akupuntura

Akupuntura përfaqëson një trajtim të lashtë, i cili fokusohet në ribalancimin e organizmit. Besohet se është një praktikë që ndikon pozitivisht në lehtësimin e simptomave të menopauzës, veçanërisht në reduktimin e afsheve të nxehta e ankthit. Studimet tregojnë se akupuntura përmirëson edhe gjumin dhe gjendjen e humorit.

7. Aktiviteti fizik

Stërvitja e rregullt, qoftë edhe me ushtrime krejt të thjeshta, mundëson çlirimin e stresit, përmirësimin e humorit, parandalon rënien e aftësive konjitive, si dhe përmirëson cilësinë e jetës te femrat në menopauzë.

Sekretet e Natyrës,
Shëndeti juaj nën Përkëdhelinë e Natyrës…
Përgatiti:
Farmaciste Msc. Eriona Xhaferaj

© Ndalohet përdorimi ose kopjimi i këtij materiali